Maqedonia e Veriut e filloi vitin 2023 si kryesuese e OSBE-së, një njohje që do të duhet ta arsyetojë me punë të përkushtuar dhe të palodhur në drejtim të zgjidhjes së problemeve me të cilat ballafaqohet Evropa. Prioriteti kryesor i presidencës së Maqedonisë së Veriut është përmirësimi i jetës së qytetarëve. Një sfidë tjetër përpara vendit është edhe procesi i integrimit evropian, vazhdimi i negociatave të anëtarësimit me BE pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të legjislacionit në nëntor. Por, ajo që mund ti vë “barrikada” këtij procesi është kundërshtimi dhe kushtëzimi i ndryshimeve kushtetuese nga Lëvizja Besa, Levica dhe VMRO-DPMNE.

Ish-deputeti Zudi Xhelili thotë se përveç bllokadave dhe “barrikadave” të brendshme, në Ballkanin Perëndimor, ekzistojnë forca të caktuara pro-ruse që punojnë dhe dëshirojnë ta pengojnë orientimin properëndimor.

“Është evidente se në Ballkanin Perëndimor ekzistojnë forca të caktuara pro ruse që punojnë dhe dëshirojnë të paraqesin pengesa në orientimin properëndimor të vendit, duke destabilizuar rajonin dhe duke ngadalësuar sukseset në rrugëtimin e disa vendeve në kursin euro-atlantik. Mirëpo për fat të mirë, forcat progresive janë më të shumta dhe me mençuri e durim i përballojnë të gjitha përpjekjet për dezorientim të kursit që jemi përcaktuar. Jam thellë i bindur se ndryshimet kushtetuese do të miratohen dhe se opozita maqedonase nga kjo situatë dëshiron të shpërblehet me zgjedhje të parakohshme që mendoj është kërkesë legjitime. Situata në Maqedoninë e Veriut dallon dukshëm nga ajo në Mal të Zi, për shkak se raporti i forcave dhe rrethanat gjeopolitike nuk janë të njëjta”, deklaroi Xhelili për Indeks.mk

Sfida tjetër për Maqedoninë e Veriut, përveç integrimit evropian, është edhe vazhdimi i misionit edhe pjesëmarrja aktive edhe në iniciativa të tjera në të cilat është anëtare, siç janë Iniciativa e Evropës Qendrore, Procesi i Berlinit, Iniciativa Adriatiko-Joniane, Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Nisma Rajonale për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët – MARRI, Rrjeti Shëndetësor i Evropës Juglindore, si dhe Fondi për Ballkanin Perëndimor.

Prioritet tjetër për Maqedoninë e Veriut jenë edhe Marrëveshjet e Partneritetit Strategjik me SHBA-të dhe Turqinë, në drejtim të sigurimit të një bashkëpunimi më të madh me këto dy vende në të gjitha sferat e mundshme, duke filluar nga bashkëpunimi ushtarak, përmes koordinimit të politikës së jashtme për çështje të caktuara, bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, arsimit, ekonomisë, fjalë për fjalë në çdo fushë ku partnerët tanë strategjikë mund të ndihmojnë.(Indeks.mk)