Kina ka hequr karantinën e detyrueshme për shtetasit e huaj që vijnë nga jashtë, duke i dhënë fund kështu tre viteve të izolimit në një kohë kur në vend po regjistrohen shpërthime të reja të virusit.

Pas tre vjet kufizimesh, ndër më të ashprat në botë, Kina hoqi ndalimet kryesore muajin e kaluar.

Masa e fundit e vendosur sot ka të bëjë me ndalimin e karantinës për shtetasit e huaj, i cili nga marsi i vitit 2020 parashikonte një periudhë izolimi në hotele specifike për Covid. Fillimisht ishte tre javë, më pas kohëzgjatja u reduktua në një javë verën e kaluar dhe në fund në pesë ditë në nëntor.