Një kalim magjik i Pedri-t, pasimi për Gavi-n dhe më pas asisti i tij për Dembele. Ky, në përmbledhje, ka qenë aksioni fitues me të cilin Barcelona ka mposhtur Atletiko Madridin, në ndeshjen e madhe të La Liga-s, të mbyllur 1-0 pikërisht falë golit të francezit.
Megjithatë, mbrapa aksionit duket se qëndron dora e trajnerit Çavi. Këtë e ka zbuluar Pedri në intervistën e dhënë për “DAZN”, fjalët e të cilit janë publikuar edhe nga “Mundo Deportivo”. Mesfushori iberik ka nisur aksionin fitues të skuadrës së tij dhe ka shpjeguar.
“Çavi më thotë gjithmonë që të provoj të luaj më shpesh një kundër një, të depërtoj më shumë dhe të rrezikoj më shumë. Ndihem shumë mirë duke e ndihmuar skuadrën në këtë mënyrë. Çavi është ai që ka më shumë ‘faj’ për këtë gol të shënuar kundër Atletiko Madrid,” tha mes tjerash Pedri.
Një gol me të vërtetë i rëndësishëm duke parë se përveç fitores, u ka garantuar katalanasve një avantazh prej 3 pikësh ndaj Real Madrid, që tani ndodhet mbrapa krahëve të Barcelona-s në renditjen e kampionatit.