Ambasadorët e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në Shkup, Angela P. Aggeler dhe David Geer kanë dhënë deklarata të forta rreth zhvillimeve politike në vend. “Zgjedhje të parakohshme nuk duhet të ketë, ndërsa ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin”, ishin porositë e qarta të tyre.
Analisti politik Besim Nebiu thotë se mospërfillja e interesit eurointegrues dhe sugjerimeve të aleatëve perëndimorë, mund të sjellë si pasojë izolimin ndërkombëtar.
“Po rritet presioni i SHBA-ve dhe BE-së ndaj opozitës për të miratuar sa më parë ndryshimet kushtetutese dhe kështu për t’u hapur rrugën negociatave për BE. VMRO – DPMNE është parti më e madhe dhe tradicionale e bllokut konservator, dhe si e si e tillë e asocuar si anëtare e Partisë Popullore Evropiane në Bruksel (EPP). Prandaj presioni është shumë haptazi i drejtuar nga kjo parti dhe jo në partinë pro-ruse Levica. Presioni është shumë i hapur, dhe kërkon reflektim serioz nga VMRO – DPMNE-ja, mospërfillja e interesit eurointegrues dhe aleatëve perendimorë do t’u sillte pasoja të izolimit ndërkombëtar ashtu siç ndodhi në vitin 2015- 2016. Paralajmërimet e fundit, po duket se tregojnë një vokabular më të zbutur të VMRO DPMNE-së rreth kësaj çështjeje”, deklaroi Nebiu për Indeks.mk
Në çarshinë politike të Shkupit, shton ai, tanimë edhe diskutohen modalitetet praktike në të cilën VMRO-DPMNËE haptazi ose në mënyrë indirekte do ta bënte një ndryshim kursi në këtë drejtim.
“Vlen të theksohet se prononcimet e Besës në javën e fundit, duken si kopjim i VMRO- së dhe duken të pasinkrpnizuara me interesat jetike kombëtare shqiptare të lidhjes së ngushtë të fatit tonë me Perendimin dhe eurotintegrimet”, nënvizoi ai.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Angela P. Aggeler ka deklaruar se funksionarët duhet të veprojnë sa më parë në interes të qytetarëve. Aggeler tha se SHBA-të mbështesin gjithçka që afron vendin drejt Bashkimit Evropian.
“E inkurajojmë udhëheqësinë dhe funksionarët e zgjedhur të këtij vendi të veprojnë në interes të qytetarëve të tyre dhe të veprojnë sa më parë, të bëjnë ndryshimet e duhura që do të mundësojnë hapjen e negociatave aderuese drejt BE-së. E dimë se janë vendime të vështira për këtë vend. Qytetarët e këtij vendi tashmë kanë marrë vendime të vështira por ne do të mbështesim gjithçka që do t’ju afrojë drejt BE-së”, tha mes tjerash Aggeler.
Po ashtu, euroambasadori David Geer ka deklaruar se fokusi i vendit për vitin 2023 duhet të jetë te reformat, duke theksuar se, duhet të shfrytëzohet koha prej tani deri në zgjedhjet e vitit 2024, për të shtyrë përpara ato reforma shumë të nevojshme, në interes të qytetarëve. Ai po ashtu, përmendi edhe rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që vendi të bëj përparim në rrugën drejt integrimit evropian.
“Ndryshimet kushtetuese me qëllim të përfshirjes së qytetarëve të cilët vet-përcaktohen si bullgarë, mbetet vendim sovran i Maqedonisë së Veriut, por plotësimi i tij është i nevojshëm që të ruhet momentumi në negociatat. Bëhet fjalë për vendim i cili nuk varet prej askujt tjetër përpos juve. Më lejoni të sqarojë edhe një herë se, të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian, nuk ju heq në asnjë mënyrë gjuhën tuaj apo identitetin nacional”, deklaroi David Geer, ambasadori i BE-së në Shkup.
Në anën tjetër, zëvednëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ka deklaruar se në muajt e ardhshëm vendi duhet të fokusohet në zbatimin e reformave dhe ndryshimet kushtetuese.
“Periudhën e ardhshme na pret transformim intesiv, reforma në administratë, ndryshimet kushtetuse dhe procesi i skriningut”, tha Mariçiq.
Ai tha se ka mjaftueshëm kohë dhe hapësira për të përfunduar me sukses ndryshimet kushtetuese dhe vendi të mos ketë sërish veto.
Deri në muajin nëntor të këtij viti, vendi duhet të realizojë ndryshimet kushtetuese ku parashihet futja e bullgarëve në Kushtetutë, me qëllim hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.(Indeks.mk)