Ka kaluar koha kur proceset politike, ngjarjet apo takimet që ndodhin në Tiranë duhet t’i shikojmë si kërcënim të sigurisë për ne, theksoi sot presidenti Stevo Pendarovski, duke komentuar takimin e Edi Ramës me liderët e partive shqiptare që u mbajt pardje në kryeqytetin shqiptar.

“Dekada më parë, ish Republika Socialiste e Shqipërisë ishte një kërcënimi i sigurisë për ne. Pra, ka kohë që ka kaluar koha kur proceset, ngjarjet apo takimet politike që ndodhin në Tiranë duhet t’i shikojmë si një kërcënim të sigurisë për ne. Mos harroni, Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s, Republika e Shqipërisë filloi negociatat për BE-në bashkë me ne. Republika e Shqipërisë është miku ynë, nuk kam fare dyshim për ndonjë qëllim të fshehtë të kryeministrit shqiptar, të cilin e njoh mjaft mirë dhe e njihni edhe ju të gjithë. Nuk mendoj se aty po krijohet ndonjë skenar antimaqedonas”, tha Pendarovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas tryezës së rrumbullakët të ambasadorëve “Ballkani Perëndimor ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes: Maqedonia e Veriut anëtare e BE-së deri në vitin 2030” në organizim të Këshillit të Ambasadorëve.

Presidenti thekson se nuk sheh ndonjë prapavijë të keqe në atë takim dhe theksoi se të gjithë ata përfaqësues të partive politike shqiptare që ishin në Tiranë muaj më parë thanë se do të mbështesin ndryshimet në Kushtetutë.

Pendarovski theksoi se tani jemi në një kohë kur nuk mendohet për zgjedhje, duke theksuar se prioritet kryesor politik është ndryshimi i Kushtetutës.

“Ne kishim një regjim në momentin e largimit, sapo kishim mbaruar zgjedhjet dhe kishim një pozicionim politik normal të subjekteve politike shqiptare në raport me kë duhet të ishin në qeverinë e ardhshme. Tani jemi larg zgjedhjeve, pra nuk jemi në periudhë parazgjedhore, nuk mund të shoh që ka pozicionim nga ai aspekt siç sugjerojnë ata. Pra, tani jemi në një kohë ku nuk po mendojmë për zgjedhje. Në këtë moment, prioriteti kryesor politik në kuptimin që ju kërkoni është ndoshta ndryshimi i Kushtetutës. Por, nga ai këndvështrim, nuk ka nevojë që Edi Rama t’i thërrasë politikanët shqiptarë në Tiranë kur ata nuk bëjnë problem për ndryshimin e Kushtetutës, së paku ata që ishin në Tiranë”, tha Pendarovski.

Pardje në Tiranë në takimin e thirrur nga kryeministri Edi Rama, morën pjesë Ali Ahmeti nga BDI, Afrim Gashi nga Alternativa, Menduh Thaçi nga PDSH dhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët. Ftesën e ka refuzuar Bilall Kasami nga Besa. Në takim, siç bënë me dije kryetarët e pranishëm të partive politike shqiptare, u diskutua për të ardhmën evropiane të dy vendeve dhe ndryshimet kushtetuese.