Më shumë se 3 lëkundje të shkallës 2.8 deri në 3.4 rihter janë shënuar gjatë natës se kaluar në Klos të Matit.

 

Epiqendra e tërmetit ishte në Xibër, ndërkohë që lëkundjet janë ndjerë edhe në zonat të tjera të kësaj bashkie, duke krijuar panik tek banorët. Më të frikësuar kanë qenë banorët e dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i vitit 2019. Këta familje vijojnë të jetojnë në çadra apo banesat gati të rrënuara.

 

Një prej tyre është edhe familja Hoxha nga fshati Bejn i Klosit. Kryefamiljari Mersim Hoxha tha se lëkundjet e mbrëmshme kanë krijuar frikë saqë ka lënë ambjentet e banesës dhe ka fjetur jashtë pranë mullarit të barit.

 

Sipas tij, për dëmin e 3 viteve më parë ka marrë vetëm 150 mijë lekë të rinj dëmshpërblim, por që nuk mjaftojnë për asgjë.

Një tjetër familje e dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 është edhe Kadiu. E zonja e shtëpisë Pashe Kadiu tregon momentet e panikut të mbrëmshëm teksa ndodhej në banesën gati në shembje.

Tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019 dëmtoi disa banesa edhe në Klos, por zona nuk u përfshi në zonën e emergjencës, duke bërë që të dëmtuarit të mos përfitojnë nga rindërtimi.