Politika ndonjëherë është si skulptura. Mjafton një goditje më e fortë dhe ajo thyhet, bëhet copë dhe mbaron çdo gjë. Edhe rreshtimi i forcave politike ndonjëherë për inate të politikës ditore, ka një kosto që mund të paguhet shtrenjtë. Maqedonia e Veriut në fakt ishte dhe vazhdon të jetë në këto valë përplasjesh mes orientimit pro perëndimorë dhe atij pro rus.

Fatmirësisht disa subjekte shqiptare e mësuan lojën e prapaskenave që shfrytëzoheshin si karrem nga subjekte maqedonase për pushtetin dhe shtetin e tyre nën diktatin apo telekomandën që u vinte nga jashtë. Pas disa muajsh tani kemi një realitet tjetër ose më saktë politika shqiptare ndryshoi kaheje dhe gjithnjë e më shumë po kthehen tek fronti i përbashkët i një Aleance Evropiane që mbi të gjitha është edhe një mision kombëtarë.

Prej vitesh është luftuar për këtë kauzë pro evropiane mes sakrificës, luftës dhe këtij misioni fisnik. Më mirë vonë se kurrë. Kjo është një thënie që i përshtatet edhe politikës shqiptare e cila shpesh ka qenë e rreshtuar në anën e gabuar me pasojat e pariparueshme .

Kur politika është goditur me bërryla, goditjen gjithnjë e ka ndjerë populli por duket se së fundmi kemi një pakt forcash shqiptare në Aleancën e përbashkët drejt qëllimit final, Integrimit Evropian dhe goditjes që i jepet forcave regresive të tipit e majta apo LEVICA që ka po ashtu një aleat si VMRO që nuk çlirohet nga nacionalizmi i ashpër. Ata pra që mendojnë se e duan dhe ruajnë më shumë shtetin , që duan të tjerët ta ” shkatërrojnë ” atë sipas tyre kuptohet.

A është i nevojshëm rreshtimi i forcave politike pro evropiane në një front të përbashkët tani ?! Përgjigja e kësaj është natyrisht një PO e madhe pa hezitim . Duket se më në fund subjektet shqiptare janë kthjelltësuar dhe e kanë kuptuar kurthin që u ishte përgatitur nga qarqe të caktuara maqedonase, më saktë parti të caktuara me orientim pro rus. Nëse ai qëllim do ishte realizuar para disa muajsh që të rrëzohej qeveria aktuale pro evropiane, sot Maqedonia e Veriut do ishte në një kaos politik shumë më të thellë dhe të rrezikshëm që do i çonte proceset politike shumë prapa në kohë dhe mund të ishte përmbysur lehtë çdo gjë e ndërtuar me kaq sakrifica ndër vite.

Kurthi i VMRO-së bashkë me Levicën ndaj partive shqiptare ishte i mirë menduar, por që skenari u dështoi sepse këtë e kuptuan më parë Faktori Ndërkombëtarë, dhe më pas edhe partitë tjera shqiptare që ndoshta pa vetëdije mund ta realizonin këtë skenar të keq.

Para disa muajsh , kur sapo kishte filluar konflikti në Rusi, bota ishte fokusuar në atë luftë dhe kjo u dha hapësirë shumë forcave politike në Maqedoni të lidhur shpirtërisht me Rusinë që ta shfrytëzonin këtë moment të artë të tyre me prapavijë anti perëndimore dhe anti shqiptare. Akoma VMRO qan për deputetin shqiptar të ” kidnapuar” por në fakt u kidnapua ideja e zezë e tyre që nuk u la të realizohet dhe ishte vetëm një tentativë e dështuar.

Sot, ajo kohë është e largët, por akoma uragani nuk ka përfunduar sepse vendit i duhet një qeveri e fortë dhe pro evropiane në rrugën drejt integrimit dhe ndryshimeve kushtetuese kaq të domosdoshme për të hapëruar më tej.

Në Maqedoninë e Veriut kanë vepruar gjithmonë forca politike regresive të cilat po ashtu kanë tentuar të fusin në kurth edhe parti të caktuara shqiptare për të realizuar misionin e tyre anti perëndimorë dhe qëllimin maqedonas për kauzën e tyre të pastër.

Opinioni e ka të qartë tentimin e rrëzimit të qeverisë properëndimore për të shtrirë më pas tentakulat e një pushteti që do fillonte aty ku e kishin lënë paraardhësit e VMRO-së , pra të kishin kontrollin absolut të shtetit . Por duket se në këtë linjë parti të caktuara shqiptare e kuptuan këtë lojë të rrezikshme duke u shkëputur nga këto linja anti perëndimore dhe tani duke u bashkuar në atë që quhet Aleanca Evropiane.

Më parë ishte Alternativa që u bë pjesë e Qeverisë pro evropiane dhe tani së fundmi është edhe ASH-ja e cila do  të ndihmojë shumë në konsolidimin e qeverisë që të jetë shumë më e fortë por edhe në proceset e mëdha që e presin vendin.