Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – Ali Ahmeti edhe njëherë nga takimet me qytetarë dhe bazën partiake të Gostivarit ka folur për ndodhitë dhe pakënaqësitë brenda për brenda partisë së tij. Ai thotë se askush nuk është i përjashtuar nga partia, por shton se duhet të respektohet vullneti i shumicës dhe Statuti i partisë.
“Për 20 vite unë i kam pas këto telashe, por nuk janë bë të mëdha, tash kanë dalë me konferenca. Nevzatin e kemi shok, por ai gabon. Edhe ai Musa im gabon. E kam pas shok 50 vjet, por edhe ai gabon se ka mirë, sepse gjërat trajtohen brenda shtëpisë dhe nuk mund të zgjidhen me ultimatume. Me ultimatum nuk bëhet. Të më drejtohet ultimatumi nga televizor, bën kështu, bën ashtu, nuk bëhet. Jo! Urdhëro ulu te shtëpia, i bisedojmë, sepse këto problem unë i kam pasur 20 vite. Nuk janë pajtuar me ekzekutivin, njëri kërkon të hiqet Bujar Osmani, tjetri Fatmir Besimi, tjetri Bekimi, tjetri Agimi, tjetri Nazimi. Çfarë të bëjë unë? Shtëpia ka një zot. Unë jam zot i shtëpisë”, tha Ahmeti duke u përgjigjur në një nga shumë pyetjet e qytetarëve të Gostivarit në kuadër të takimeve të tij me moton “Bashkë për Europë”.
Në Kongresin, shtoi ai, i kam pyetur a ka ndonjë kandidatë më kanë thënë Jo.
“U kam thënë deri tash kam qenë kryetar lëvizje, tash edhe Statuti i rregullon gjërat shumë mirë. S’ka nevojë ne të zihemi për këto punë. Nuk hidhërohemi nëse dalin në media, për shkak se kam luftuar për fjalën ndryshe. Kam qenë i maltretuar për fjalën ndryshe. Unë sot as nuk rrah, as nuk hidhërohem, por duhet të pajtohen me shumicën. Nevzati sot duhet të pajtohet se Valdet Xhaferi është kryetar i degës së partisë në Gostivar. Askush nuk është i tepërt në shtëpinë e vet, por ama të respektohen rregullat e shtëpisë”, nënvizoi Ahmeti.