Porti më i madh dhe qyteti i dytë më i madh egjiptian, Aleksandria, mund të zhduket nën det brenda disa dekadash.

Edhe sipas skenarit më të mirë të OKB-së, një e treta e qytetit, i cili u themelua nga Aleksandri i Madh në deltën e Nilit, do të jetë nën ujë ose i pabanueshëm deri në vitin 2050, raporton Jutarnji list.

Një milion e gjysmë banorë nga gjithsej gjashtë milionë do të duhet të ikin nga shtëpitë e tyre dhe rrënojat e lashta të qytetit dhe monumentet historike janë në rrezik të madh nga Deti Mesdhe.

Deri më tani, qindra banorëve u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat u dëmtuan nga përmbytjet në 2015 dhe 2020.

Siç raporton Jutarnji list, çdo vit qyteti fundoset me më shumë se tre milimetra. Në të njëjtën kohë, niveli i detit po rritet për shkak të ngrohjes globale.

Sipas parashikimeve më të këqija të panelit klimatik të OKB-së IPCC, Deti Mesdhe mund të rritet me një metër brenda tridhjetë viteve.

Ai do të përmbyste “një të tretën e tokës bujqësore shumë produktive në deltën e Nilit” si dhe “qytetet historikisht të rëndësishme si Aleksandria”, parashikon OKB.