Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Japonisë në vendin tonë, z. Kazuya Otsuka.

Grubi dhe Otsuka bashkëbiseduan mbi raportet e deritanishme bilaterale mes dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, situatën politike në vend, rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe mbi rrugëtimin europian të Maqedonisë së Veriut.

Grubi ka falënderuar shtetin japonez për përkrahjen e deritanishme aktive në realizimin e shumë projekteve të jetës cilësore përmes donacioneve dhe shprehu rëndësinë që ka kjo mbështetje për zhvillimin progresiv të vendit.

Ai njoftoi ambasadorin japonez edhe për situatën aktuale politike në vend, progresin që shënoi vendi në rrugëtimin europian me hapjen e negociatave të integrimit me Bashkimin Europian, përkushtimin për realizimin e procesit të reformave, miratimit të ndryshimeve kushtetuese, vetingut dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ambasadori japonez Otsuka shprehu përkrahjen konsistente të vendit të tij ndaj zhvillimit të qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut, përpjekjeve të reformimit progresiv dhe integrimit në Bashkimin Europian.