Një stuhi e fuqishme goditi bregun e Gjirit amerikan të martën, duke nxitur një tornado që shkaktoi dëme në lindje të qytetit të Hjustonit, në shtetin e Teksasit.

Shërbimi Kombëtar i Motit kishte paralajmëruar më herët se një “tornado e fuqishme, jashtëzakonisht e rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse”, kishte goditur në tokë të martën pasdite dhe ishte nisur drejt qytetit Beitaun, rreth 40 kilometra në lindje të Hjustonit. Autoritetet e qytetit njoftuan për dëme në rrjetin elektrik, në banesa e biznese, por nuk pati njoftime për lëndime serioze mes popullatës.

Pamjet e transmetuara nga stacioni televiziv i Hjustonit ‘KTRK’ treguan dëme në ndërtesa dhe shtylla elektrike në Pasadena, një qytet në juglindje të Hjustonit. Ende nuk ka njoftime për të lënduar.