Tenistja kazake Elena Ribakina, numri 22 në botë dhe ajo bjelloruse Arina Sabalenka, numri 5 në botë, janë dy finalistet e Grand Slam të “Australian Open” që po zhvillohet në Melburn. Finalja do të zhvillohet ditën e shtunë. Nëse emri i Sabalenka ishte mes kandidateve kryesore, ai i Ribakinws është deri diku një befasi, por që konfirmon momentin e mirë që po kalon. Në tri ndeshjet e luajtura deri më tani mes tyre, Sabalenka udhëheq 3-0. Bjellorusja nuk ka humbur asnjë set në këtë turne dhe i ka fituar 9 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar.
Në gjysmëfinalen e parë, tenistja kazake Elena Ribakina, mundi 2-0 (7-6, 6-2) në një orë e 40 minuta bjellorusen Viktoria Azarenka. Një ndeshje me rivalitet në setin e parë, vendosur në “tie break”, pasi më tej gjithçka u komandua nga Ribakina, fituese e Uimbwledonit, vitin e kaluar. Për Ribakina kjo është hera e dytë që del në finalen e një Grand Slam në karrierën e saj.
Avancon më tej edhe bjellorusja Arina Sabalenka, që në gjysmëfinalen e dytë mposhti po 2-0 (7-6, 6-2) rivalen polake Magda Linet, një ndeshje që zgjati një orë e 30 minuta. Edhe kjo sfidë ishte fotokopje e së parës, me rivalitet vetëm në setin e parë dhe më pas bjellorusja fitoi pa probleme. Për Sabalenka kjo është hera e parë që del në finalen e një Grand Slam.