Frenk Lampard u shkarkua disa ditë më parë nga detyra e trajnerit në klubin e Everton. Ecuaria e dobët e skuadrës detyroi drejtuesit të merrnin vendimin ekstrem për fatet e Lampard. Së fundmi, Lampard reagoi për herë të parë pas shkarkimit duke theksuar se do të mbetet krenar për punën te Evertoni, sidomos sa i përket sezonit të kaluar ku skuadra ia doli të qëndronte në elitë vetëm javët e fundit.

“Erdha te Everton në vitin e kaluar edhe pse dihej që ishte një situatë shumë e vështirë. Por, do të jem gjithmonë shumë krenar për punën dhe përfshirjen e të gjithëve atyre që kontribuan për ta mbajtur ekipin në Premier Ligë.

Dua të falenderoj të gjithë tifozët e Everton për mikpritjen ndaj meje, stafit dhe familjes sime. Është me të vërtetë një klub special, me zemër të madhe dhe histori të mrekullueshme.

Më vjen keq që nuk mundëm të arrinim më shumë së bashku. Dua t’i uroj çdo lojtari të Everton më të mirën në karrierë”, shkruan Lampard në rrjetet sociale.