Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka publikuar denoncimin e një qytetareje që jeton në Dibër, lidhur me situatën në spitalin e qytetit, ku qytetarët vuajnë të bëjnë analiza në spitalin shtetëror pasi pas datës 20 të çdo muaji nuk ka më fonde dhe qytetarët duhet t’i drejtohen laboratorëve privatë.

“Kjo ka kohë që ndodh, pas datës 20 të çdo muaji nuk bëhen me analiza përveç dy a tre analizave me kod të kuq”, shkruan ndër të tjera qytetarja në denoncimin e saj.

 

Ndërkohë që një ditë më parë, Vokshi denoncoi në rrjetet sociale se si mjekëve të familjes në Elbasan “ju hiqet aksesi nga ana e laboratorit për analizat e pacientëve” dhe kjo sjell sorrollatje dhe vonesa për qytetarët që kalojnë rreth një muaj për të bërë analizat që duan.

“Pacientit i kalojnë 25-30 ditë lart e poshtë për një procedurë që mund të merrte vetëm një ditë. Kjo rezulton shpesh në përkeqësim të shëndetit të tyre”, shprehet Vokshi lidhur me situatën.

Postimi i plotë i Albana Vokshit:

Denoncimi nga një qytetare nga Dibra.

Pas datës 20 të cdo muaji në Spitalin e Dibrës nuk bëhen më analiza se nuk ka fonde… pacientët detyrohen të shkojnë te privatët … ose të mos i bëjnë fare analizat sepse nuk i përballojnë dot cmimet.

E ndërkohë që Rama paguan 225 mijë dollarë rryshfet për të korruptuar drejtuesit e FBI, për qytetarët shtohet kalvari i gjatë i rropatjeve dyerve të spitaleve pa marrë asnjë shërbim.

Kjo është #shëndetësiafalas që Rama rezervoi për shqiptarët.

@manastirliu.ogerta e cdo person i përfshirë në aferat korruptive të PPP-ve në shëndetësi duhet të ishin sot para drejtësisë.

Sot, cdo qytetar nga jugu në veri duhet të reagojë, të protestojë për të drejtat themeltare kushtetuese.