Bashkimi Evropian dëshiron të trajnojë 30,000 trupa ukrainase, duke dyfishuar objektivin e tij fillestar, për të ndihmuar Kievin kundër një pushtimi rus, tha sot një zyrtar evropian.

Në nëntor, “27” filloi një plan për të trajnuar 15,000 ukrainas në vende të ndryshme anëtare.

“Ne do ta arrijmë këtë numër ndoshta përpara fundit të tremujorit të dytë të vitit dhe do të ketë një objektiv të ri, për të trajnuar (të tjerë) 15,000 ushtarë ukrainas, ” tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti. “Kështu, numri i ushtarëve ukrainas që do të trajnohen në këtë program do të arrijë në 30,000” , shtoi ai.

Trajnimi do të zhvillohet në vende të ndryshme, por qendra kryesore është në Poloni.

Objektivi i ri do të shpallet zyrtarisht në samitin e BE-së me Ukrainën të premten në Kiev.