Basketbollisti i Golden Stejt Uarriors, kapiteni Stefon Kerri, do të qëndrojë të paktën 2 muaj pushim pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen ndaj Dallas Maveriksit. Ai la në mes ndeshjen në periodën e tretë, ndërkohë që analizat e kryera kanë evidentuar një dëmtim të rëndë.
Sipas mediave amerikane, pas kryerjes së rezonancës magnetike, Keri ka një dëmtim në ligamentet e këmbës së majtë. Lajmi është konfirmuar më pas edhe nga vetë skuadra (27 fitore, 26 humbje këtë sezon), që ka shtuar se gjendja e basketbollistit 34-vjeçar do të monitorohet herë pas here për të përcaktuar edhe datën e saktë të rikthimit të tij.
Një dëmtim që vjen në një moment jo të mirë të ekipit kampion të NBA-së. Ky është dëmtimi i dytë që pëson Kerri këtë sezon, më i rëndë se ai i dhjetorit, ku qëndroi 3 javë pushim. Këtë herë ai do të mungojë më gjatë dhe vështirë se Uarriors këtë sezon mund të mbrojnë titullin.