Gazetare: Evi Shkopi
Dyshimet për ndërtime jo cilësore në Turqi kanë bërë që autoritetet atje të lëshojnë urdhër arresti për 131 persona. Zëvendës presidenti turk Fuat Oktay të shtunën vonë tha se personat në fjalë janë të dyshuar si përgjegjës për shembjen e ndërtesave.
Ministri turk i Drejtësisë është zotuar të ndëshkojë këdo përgjegjës dhe prokurorët kanë filluar të mbledhin mostra ndërtesash për prova mbi materialet e përdorura në ndërtime. Tërmetet ishin të fuqishëm, por ekspertët dhe njerëzit në të gjithë Turqinë fajësojnë ndërtimet e këqija për shumëfishimin e shkatërrimeve. Autoritetet arrestuan dy persona në provincën e Gaziantepit të dielën, të cilët dyshohet se kishin prerë kolonat për të krijuar hapësirë shtesë në një ndërtesë që u shemb. Ministri i Mjedisit Murat Kurum tha se bazuar në vlerësimin e më shumë se 170,000 ndërtesave, 24,921 struktura në të gjithë rajonin janë shembur ose janë dëmtuar rëndë.
Një kontraktor ndërtimi u arrestua nga autoritetet ditë më parë në aeroportin e Stambollit para se të mund të hipte në një fluturim jashtë vendit. Ai ishte kontraktori i një ndërtese luksoze 12-katëshe në qytetin historik të Antakiajs, në provincën Hataj, shembja e së cilës la një numër të pallogaritshëm të vdekurish.
Ndërkohë që autoritete po përpiqen të hetojnë krimin eventual të kryer para tërmetit, policia po përballet me lulëzim të krimit edhe nëpër rrugët e zonave me të dëmtuara nga katastrofa natyrore. Uniformat e rendit kanë arrestuar dhjetëra persona të cilët janë përpjekur të vjedhin nëpër biznese të caktuara.
Në një video amatore të publikuar në mediat ndërkombëtare shihet se si një burrë largon nga një dyqan me pajisje teknologjike një grup personat duke u thënë që të marrin vetëm produkte jetike për ata dhe asgjë tjetër./Alsat.mk