Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mbrëmë i përshëndeti përpjekjet për rindërtimin e sistemeve për prodhimin e energjisë elektrike të dëmtuara nga sulmet ruse, por e paralajmëroi popullatën se është shumë herët që të shpallet fitore në frontin energjetik.
Zelensky tha se punëtorët e energjisë bënë një punë kaq të mirë për t’i riparuar dëmet e shkaktuara të premten nga sulmet ruse me raketa dhe fluturake pa pilotë, që shumica e njerëzve nuk është dashur të përballeshin me shumë ndërprerje gjatë fundjavës.
“Vetë fakti që pas sulmit masiv me raketa këtë javë, mund të kemi ditë kaq të qeta në aspektin energjetik, e dëshmon profesionalizmin e punëtorëve tanë të energjisë”, tha ai në video fjalimin e mbrëmjes.
“Duhet të kuptojmë: kjo nuk është ende një fitore në frontin e energjisë. Fatkeqësisht, mund të ketë sulme të reja terroriste nga Rusia. Mund të ketë kufizime të reja nëse ka shkatërrim ose rritje të mëtejshme të konsumit”, shtoi Zelenski.
Në muajt e fundit, Rusia ka kryer shumë sulme ndaj kapaciteteve energjetike të Ukrainës, duke lënë disa herë miliona njerëz pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë.