Skuadra e Real Madrid po monitoron situatën, me shpresën për të sjellë në “Santiago Bernabeu” sulmuesin brazilian Richarlison, që luan në Premier League me Tottenham. Lajmin e konfirmoi sot “Daily Mail”, që tha se spanjolljët po mendojnë për sulmuesin 25-vjeçar si pasuesin e Karim Benzema. Një transferim që mund të kryhet verën e ardhshme.
Richarlison, i ardhur verën e kaluar te Totenham nga Evertoni (ka një kontratë deri në vitin 2027), nuk ka gjetur shumë hapësira te skuadra e trajnerit Antonio Konte, teksa në kampionat nuk ka realizuar ende asnjë gol këtë sezon. Ky transferim i kushtoi 60 milionë stërlina Totenham, por deri më tani sulmuesi ka zhgënjyer edhe pse shkëlqeu në botëror me kombëtaren.
Mediat konfirmojnë se Real Madrid kërkon të përforcojë sulmin dhe Richarlison është një nga kandidatët. Trajneri Karlo Ançelotti ka dhënë pëlqimin e tij edhe pse ky transferim do t’i kushtojë mjaft “los blancos”. Për Real Madrid nuk ka për të qenë e lehtë të marrë sulmuesin për të cilin Tottenham ka shpenzuar shumë edhe pse ai është shprehur i gatshëm për mundësi të reja.