Bashkimi Europian miratoi të hënën sanksionet e reja ndaj dy organizatave dhe 32 zyrtarëve iranianë, duke përfshirë ministrat e Kulturës dhe Arsimit, zyrtarët e inteligjencës dhe ligjbërësit.
Protestat filluan pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator. Këto protesta janë shndërruar në një nga sfidat më të mëdha për teokracinë e Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Të paktën 529 njerëz janë vrarë në demonstrata, sipas Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran. Mbi 19.700 të tjerë janë arrestuar nga autoritetet si pjesë e fushatës iranian që ka për qëllim shtypjen e protestave. Disa persona të lidhur me këto protesta janë ekzekutuar.
BE-ja tha se ka vendosur ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit për 32 zyrtarë, si dhe ka ngrirë asetet e dy organizatave për shkak të përfshirjes së tyre “në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Iran”.
Më parë, blloku 27-kombësh kishte vendosur katër raunde sanksionesh ndaj zyrtarëve dhe organizatave iraniane, duke përfshirë ministra, oficerë ushtarakë dhe policinë morale të Iranit, për abuzim të të drejtave të njeriut./abcnews.al