Sektori për Krim Kompjuterik nga MPB ka dorëzuar njoftim deri te Prokuroria pas intervistës së jutuberit Stefan Llazarov me ish kryeredaktorin e televizionit “Sitel” Dragan Pavlloviq-Llatas i cili gjatë intervistës ka treguar se kur ka qenë 15-vjeçar ai dhe disa shokë kanë abuzuar me një vajzë e cila ka qenë e rrahur, në ndërkohë që të dy qeshin me rastin e dhunës.

“Ka njoftim nga MPB. Lënda është ndarë te prokurori, do të shohim si më tej do të zhvillohet ngjarja”, ka deklaruar prokurori Gavrill Buevski.

Pas intervistës skandaloze, ka pasur një ortek reagimesh në rrjetet sociale. Siç reagoi fillimisht Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, me këtë emision, normalizohet kultura e dhunës.

“Në videon, e cila tashmë ka mbi 50 mijë shikime, për dy bashkëbiseduesit përdhunimi është burim argëtimi dhe të qeshurash, me të cilin drejtpërdrejt i dërgojnë mesazh publikut të madh jo vetëm se është diçka normale, por edhe qesharake. Kjo intervistë është vetëm një tregues publik dhe i dhimbshëm se si duket në praktikë normalizimi i kulturës së dhunës dhe deri ku mund të çojë mosveprimi i institucioneve dhe mungesa e qëndrimeve dhe politikave të qarta që mbrojnë viktimat, në vend tëdhunuesve”, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Në reagim u pasua nga organizata dhe shoqata të tjera joqeveritare, ndër të cilat platforma “Meduza” dhe shoqata “Mladite na Edna mozhe”.

Për videon e publikuar ka reaguar edhe drejtoresha e koalicionit Margini, Irena Cvetkoviq, e cila ka komentuar se derisa Latas tregonte për rastin, youTuberi Lazarov ka reaguar me të qeshur.

“Ndërsa Latas tregon, Llazarov shpërthen në të qeshura, gjë që e gëzon veçanërisht tregimtarin. Ata qeshin së bashku, shkojnë në gëzim, të mbushur me suksesin e tyre. Njëri mendon se është mangup sepse ka përdhunuar, tjetri mendon se është mangup sepse ka mundësi të ndajë ekskluzivisht këtë shfrytëzim të përdhunuesit”, thuhet në reagimin e Cvetkoviqit.

Në videon e publikuar në mbrëmjen e 14 shkurtit dhe të transmetuar drejtpërdrejt, Dragan Pavloviq Llatas duke qeshur tregon për dhunën seksuale ndaj një gruaje kur ishte adoleshent, ndërsa moderatori Stefan Lazarov reagon me të qeshura dhe pyetje për përmbajtjen eksplicite.

Pas ortekut të reagimeve, në një prononcim që më pas e ka fshirë, YouTuberi Lazarov ka mohuar që i ftuari në emision ka folur për përdhunim, ndërsa në Instagram ka akuzuar se në këtë rast është bërë fjalë për “përndjekje” ndaj tij.