Ylli argjentinas po konsumon vitin e fundit të kontratës me PSZH në Francë dhe rinovimi me kryeqytetasit për momentin ka mbetur në vendnumëro. “Pleshti” duket i joshur nga ideja për t’u rikthyer te Barcelona, edhe pse nga Amerika nuk janë dorëzuar me Inter Miami që këmbëngul për të pasur pjesë të organikës Kampionin e Botës.

Së fundmi trajneri i skuadrës amerikane, Fil Nevill shprehet se klubi i tij gjithnjë synon të transferojë më të mirët dhe i tillë është Mesi apo edhe Serhio Buskets që do të mbyllë eksperiencën me Barçën në fundin e sezonit.

“Në këtë klub ne kërkojmë të transferojmë lojtarët më të mirë në botë dhe Messi është një i tillë. Madje, edhe Buskets që së bashku me Mesin janë dalluar së tepërmi në vitet e fundit. Janë lojtarë të mëdhenj që do të sillnin shumë përfitime për kampionatin e MLS. Me ata të dy, do të ndryshonte komplet loja.

Prej momentin kur unë i jam bashkuar Miamit, klubi gjithnjë është lidhur në merkato me emra të mëdhenj. Nga Serhio Ramos, Levandovski, Fabregas apo Luis Suarez dhe kështu do të vijojë të ndodhë sepse edhe në të kaluarën kemi pasur lojtarë të mëdhenj si Higuain apo Matuidi. Tani kemi mundësi të marrim disa yje të tjerë duke marrë parasysh edhe moshën e tyre”, u shpreh Nevill.