Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me strukturat drejtuese të degëve 6, 13 dhe 16 të Tiranës, ndërsa ka folur me mbështetësit demokratë dy ditë para protestës së paralajmëruar në lidhje me të.
Berisha u ka bërë thirrje demokratëve pjesëmarrës në takim se duhet t’i bashkohen protestës së 3 marsit, pasi sipas tij do jetë një ditë “e veçantë” e revolucionit paqësor.
Ai shtoi më tej se tani “ka ardhur koha për mosbindjen civile” dhe se do përdoren të gjithë mjetet për fitoren përfundimtare të revolucionit.
“3 marsi është një ditë e veçantë, do flasim fuqishëm në protestën tonë. Kufomë politike e pakallur, sot ai përbën rrezikun më të madh për këtë vend. Sot ai është i gatshëm të marrë çdo vendim me qëllimin e vetëm që të shpëtojë lëkurën e tij sepse ai e di, me korruptimin e McGonigal, me thikën që i futi marrëdhënieve me SHBA dhe sigurisë së tyre duke korruptuar me para kryezbuluesin, ai nuk mund të ketë shpresë për të ardhme politike. Ka kryer një vetëvrasje politike. Do marrë çdo vendim dhe do mbajë çdo qëndrim për të qëndruar por dhe ne do bëjmë të njëjtën gjë për ta shporrur nga skena politike. Një kufomë politike nuk mbahet kurrë në pushtet.
Revolucioni paqësor do durim, guxim, nuk fitohet me një ditë e me një përpjekje, por me persistencë. Nuk fitohet me shabllonet që servirin drejtuesit, fitohet me kreativitetin e atyre që marrin pjesë në revolucion. Ndaj në 3 mars do jetë një ditë e veçantë e revolucionit por ai do vazhdojë deri në fitoren e tij të plotë. Koha ka ardhur për mosbindjen civile që Gandi e quante të shenjtë. Dhe ne do përdorim të gjitha mjetet e saj për fitoren përfundimtare të revolucionit”, tha ai.