Gjermania ka njoftuar se do të rrit prodhimin e municioneve duke siguruar që të ketë mjaftueshëm pjesë këmbimi dhe kapacitete riparimi në industrinë e saj të mbrojtjes për furnizimin e vazhdueshëm me armatim të forcave ushtarake të Ukrainës.

Pas një takimi me kryeministrin letonez, Krisjanis Karins, kancelari gjerman Olaf Scholz pohoi se “kjo do të mbetet një detyrë e vazhdueshme sepse ne kemi thënë se do të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Në muajin janar, Gjermania konfirmoi se do të furnizonte Ukrainën me 14 tanke Leopard 2 dhe u dha leje aleatëve të dërgonin edhe të tyret – pavarësisht kërcënimeve nga Rusia.

Lëvizja nga Gjermania nënkuptonte se vendet e tjera – si Polonia dhe Spanja – që kanë rezerva të tankut Leopard 2 mund t’i dërgonin në Kiev.

Përpara vendimit, Kievi u kishte kërkuar tanke për muaj të tërë vendeve perëndimore pas nisjes së një ofensive të re të rusëve, raporton skynews.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.