Pas dopietës në transfertë ndaj Marsejës, sulmuesi 24-vjeçar barazoi Edinson Kavanin në kuotën 200 golave, por tani do t’i mjaftojë një i vetëm, duke nisur nga nesër mbrëma (të shtunën), ndaj Nantës, që të ulet i vetëm në fronin e golashënuesve. Gjithsesi, përpara tij Mbape ka një mori me rekorde për të thyer, duke nisur nga ai i golave, vetëm në kampionat, ku rekordmeni është sërish Edinson Kavani me 138 realizime, dy më shumë sesa jashtëtokësori transalpin.

Në shënjestër është edhe rekordi i golave në Kupën e Francës ku Fransua M’Pele kryeson në kuotën 28, vetëm një më shumë sesa Mbape, edhe pse për këtë rekord duhet të presë sezonin e ardhshëm, pasi Marseja i eliminoi. Për sa i përket asisteve, Mbape deri tani numëron 81 të tillë, duke qenë pas shpatullave të Safet Susiç me 103 dhe Angel di Marias me 112, por edhe në këtë rast, do t’i duhet pak më shumë kohë që t’i mbërrijë.

Ndërkohë, më i vështirë prej të gjithëve duket rekordi i golave në një sezon, i cili mbahet nga Zlatan Ibrahimoviç. Suedezi, në sezonin 2015-2016 realizoi 50 të tillë, 38 prej të cilëve vetëm në Ligën 1. Dhe këto dy shifra, Mbape duket se sivjet do ta ketë të vështirë që t’i arrijë, duke qenë se deri tani numëron 29 gola sezonalë, por në kampionat ka realizuar “vetëm” 17 deri tani.

The post Rekordet që kërkon të tejkalojë Kilian Mbape      appeared first on Alsat.