I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tashmë e bëri të qartë se pa themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, “nuk ka marrëveshje” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Këtë deklaratë, Lajçak e bëri në një intervistë për televizionin publik serb RTS, pas qëndrimit dy ditor në Beograd dhe takimeve që pati me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe strukturave politike atje. Sipas të ngarkuarit evropian, “qëllimi nuk është që dikush të fitojë apo të humbasë, por të hapet dera evropiane për të dy vendet”.

Osmani: “Modele për të drejtat e pakicave”

Edhe diplomatë të shumtë perëndimorë përfshirë edhe ata të SHBA-ve, u kanë bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të zbatojnë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. I ngarkuari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se tashmë u ka dorëzuar autoriteteve në Prishtinë 15 modele të ndryshme evropiane që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të pakicave dhe që ato modele do të mund të përdoreshin gjatë hartimit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Autoritet e Prishtinës thonë se janë duke i shqyrtuar ato modele, por, sipas Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, modelet të cilat janë prezantuar nga zoti Lajçak, nuk kanë të bëjnë me Asociacion por më shumë “janë modele për të drejtat e pakicave”.

“Secila prej tyre janë modele, të cilat disa japin më shumë të drejta, në disa modele ka më pak të drejta, sesa që tashmë Kosova u jep pakicave apo komuniteteve joshumicë. Ne i kemi analizuar të gjitha këto modele dhe natyrisht ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por unë do të thosha sërish që modeli më i mirë, shumë më i mirë se të gjitha ato pesëmbëdhjetë është modeli aktual që e ka Republika e Kosovës”, tha Presidentja Osmani.

Kurti: Plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga ana e tij vazhdon të mos i jap shumë rëndësi Asociacionit, i cili thotë se është një ndër pikat e fundit të propozimit evropian, por, ai dëshiron të fokusohet në marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, dhe negocimin e planit për zbatimin e saj. “Unë e kuptoj që Serbia shtyn shumë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo ‘zajednicës’, siç e kemi quajtur ndryshe, ajo është në nenin 10 njëra prej 33 marrëveshjeve. Natyrisht ne e dimë qëndrimin e Serbisë mirëpo, unë duhet që t’i referohem asaj për çfarë jemi marrë vesh dhe atë keni mundur që ta lexoni që të gjithë, ndërkaq, plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër”, tha kryeministri Kurti.

Në takimin e fundit që u mbajt më 27 shkurt në Bruksel, nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar me përmbajtjen e dokumentit, apo siç quhet “Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve”. Propozimi që u bë publik nga Bashkimi Evropian, askund nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, në propozim neni 2, përmend që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin edhe zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq para dy ditësh e bëri të qartë qëndrimin e tij se “nuk do të ketë njohje as de facto dhe as de jure”, të pavarësisë së Kosovës. Vuçiq tha se ai  do të shkojë në Ohër për takim me Kurtin, por “nuk e ka të qartë se për çfarë të flitet atje”. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ndërkaq, thotë se ajo nuk ka pritje të mëdha për përparim në procesin e dialogut për shkak të siç thotë “qasjes së Serbisë”. “Shpresa ime është që komuniteti ndërkombëtar do të fokusohet me një presion në raport me Serbinë në mënyrë që të bindet edhe Serbia që data 18 mars, pra takimi që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është një momentum jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e dialogut, në mënyrë që nëpërmjet kësaj marrëveshje së bashku me një plan zbatimi, të zgjidhen shumë çështje të cilat pastaj e hapin rrugën drejt njohjes reciproke”, tha Presidentja Osmani.

Von der Leyen kërkon të shfrytëzohet momenti

Autoritetet ndërkombëtare presin që në takimin e Ohrit që mbahet me 18 mars në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të arrihet ujdi për planin e zbatimit të propozimit evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen,  e ka ftuar Kosovën dhe Serbinë, që ta shfrytëzojnë propozimin e Bashkimit Evropian për të normalizuar marrëdhëniet dhe në takimet e radhës, të japin kontribut për stabilitetin e rajonit, si dhe në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. “Kemi një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj se ai përbën një rast për të dyja palët që ta shfrytëzojnë momentumin, sepse normalizimi është kyç për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”, tha  Ursula von der Leyen, në një takim me korrespodentët e agjencive evropiane të lajmeve. Ajo ka thënë se pret që palët të jenë konstruktive në takimin e radhës që mbahet me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. /DW