Prej se u vendos sistemi shumëpartiak ndër ne, ndër të tjera, jemi ngirë nga potenciali demagogjik i politikanëve. Në fakt, demagogjia nënkupton komunikimin politikanë-qytetarë, përkatësisht mashtrimin, joshjen me fjalë të bukura e premtime të rreme të këtyre të fundit për t’i bërë për vete për qëllime e synime të caktuara politike. Dhe, për rrjedhojë na shpërfaqen politikanë me dy faqe, që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë; rrahin gjoks me fjalë të bukura, por boshe, që kanë për qëllim të mbulojnë e të shtrembërojnë të vërtetën.Shikonie realitetin ke ne e mes nesh dhe do t’ju dalin përpara demagogët!
Shkruan: Seladin XHEZAIRI
Në fakt, ardhja e multipartizmit tek ne u shënua me daljen në skenë jo të partive të mirëfillta politike, por të lëvizjeve që zëvendësuan Frontin Popullor në Shqipëri apo Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës në ish-Jugosllavi, fjala vjen. Në sensin se njerëzit që aderuan nëpër to nuk ishin se ishin të të njëjtave bindje a prirje ideologjike, politike a partiake. Kjo një. Së dyti, ballkano-perëndimorët, pra shqiptarët, maqedonasit, serbët, malazezët, boshnjakët, kroatët e më pak sllovenët, dolën nga ish-sistemi me bagazhe të ndryshme, kryesisht si rezultat i padrejtësive në kurriz të popujve të caktuar, ku më së keqi e pësuan shqiptarët, po se po, por edhe boshnjakët, turqit e deri-diku edhe maqedonasit! Në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, atëherë kur ra sistemi komunist, pritjet ishin goxha të mëdha: Në Shqipëri, të rikujtojmë, kërkesa bosht ishte “E duam Shqipërinë si Europa, e duam Shqipërinë si Amerika”, ndërsa ndër shqiptarët po edhe maqedonasit, në ish-Jugosllavi, politikanë të vjetër e të rinj rrahnin gjoks për korrigjimin e gabimeve, thuhej historike, të së kaluarës! Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës atëbotë ngriti sistemin paralel karshi atij shtypës e përjashtues serb; Partia e Prosperitetit Demokratik e Nevzat Halilit u zotua për rilindje shqiptare, ndërsa VMRO-DPMNE-ja e Lupço Georgievskit u përçap të bëhej kumandare e re në Maqedoni. U desh të ndodhnin konfliktet e armatosura që secili të merrte hisen që i takon: Kosova të çlirohej nga pushtimi serb me ndërhyrjen ajrore të NATO-s, ndërsa Maqedonia u detyrua nga kancelaritë perëndimore (BE-ja dhe SHBA-ja) të firmoste Marrëveshjen Paqësore të Ohrit që i dha fund konfliktit të armatosur ndërmjet forcave ushtarako-policore maqedonase dhe kryengritësve të UÇK-së së Ali Ahmetit.
Sot, fatmirësisht kemi një realitet krejtësisht tjetër me atë të para tri dekadave (pa mohuar ata që thonë se duhet bërë edhe më shumë)!
Natyrisht se politika është interes, natyrisht se ka grupe të interesit, se ka edhe grupe të presionit – për realizim të interesave të caktuara! Për shkak të instalimit të demokracisë përfaqësuese, dalja para votuesit nënkupton ofertën e kapshme, joshëse, po se po, por edhe rrahjen gjoks në formë zotimi për atë që quhet përgjegjësi a llogaridhënie.
Përvoja e deritashme, për të mos thënë tradita, flet se votuesi – qytetari nuk është se nuk ka maturuar në dallimin e premtim-zotimeve dhe vënien e tyre në jetë. Prandaj, gjykoj se edhe për të nuk është e huaj, le të themi, demagogjia politike që edhe në ditët e sotme, nuk është se është e stërholluar. Bartësit e saj, demagogët japin e marrin, m’u si barinjtë, që të joshin njerëzit, duke u hequr se janë me popullin, të popullit e hakatin për popullin, pa nguruar të shfrytëzojnë metodat emotive e iracionale me qëllim të ruajtjes, përkatësisht arritjes së – privilegjeve që i ofron – pushteti!
Mirë e vëren James Clark: “Politikanët, manipulantët dhe demagogët mendojnë për zgjedhjet e radhës, ndërsa shtetarët për të ardhmen dhe gjeneratat që vijnë”! Dhe prandaj, për demagogët, veshur në petkun e lajkatarit, nuk vlen asgjë që është bërë, që është bërë a po bëhet nga të tjerët! E mira, sipas këtyre shitësve të mjegullës, vjen me ta si “zë i popullit”. Këtë e vëren mirë Aristoteli në “Politikë” teksa thotë se “demagogët shfaqen aty ku ligji nuk ka fuqi supreme”, për shkak se mungesa e shtetit të së drejtës është terren i plleshëm pikërisht për lajkatarët e demagogët që, të veshur me petkun kombëtar, me retorikën boshe, por pa asnjë kauzë, janë në gjendje të bëjnë kërdinë. Ata qëllimisht anashkalojnë realitetin, maten me hijen e mëngjesit, nuk denjojnë të përfillin forcën e argumentit, nuk pranojnë gabim-rëniet, por ndjellin shkëlqimin. Për ta nuk ekziston binomi “shkak-pasojë”. Shi për këtë nuk flasin për logjikën, ani që të njëjtën e servirin të shtrembëruar.
Do thuash, në politikë, si dhe në luftë, po pse jo edhe në dashuri, të gjitha mjetet janë të mirëseardhura, ama them se, përtej populizmit, edhe kjo duhet të ketë kufi!
Kur liria e fjalës është e lejuar, e kur letra duron gjithçka, prapëseprapë populizmi dhe folklorizmi, edhe ndër ne e mes nesh, mbetet patologjia kryesore e politikës. Kështu e thotë edhe sociologjia politike, kështu po e shohim gjithandej hapësirave tona me avitjen e zgjedhjeve apo edhe të zgjidhjeve të disa çështjeve tona të mprehta. Profesori kroat Miroslav Mazurek e vëren mirë kur thotë: “Politikanët pa para mund të kontribuojnë në shoqëri vetëm përmes angazhimit të tyre personal dhe mobilizimit të masave të gjera. E dimë se nga kjo tash sa kohë nuk ka asgjë. Pra, kriticizmi pa e drejtuar gishtin në zërin e përllogaritjes me të cilin do të zgjidhet problemi ose pa prezantimin e versionit të përllogaritjes dhe programit të zhvillimit vendor nuk është asgjë tjetër veçse demagogji dhe manipulim politik”! Kaq e thjeshtë dhe kaq e lehtë për t’i kuptuar lajkatarët, demagogët dhe manipuluesit edhe tek ne. Qofshin opozitarë apo edhe pushtetarë. Katundi që duket, thotë populli, kallauz nuk do!