Mesfushori i Barcelonës, Frenk Kesi, po tërheq interesim në klubet e mëdha të Premier Ligës, të cilat duan ta transferojnë në afatin kalimtar veror. Pas një fillimi të ngadaltë, Kesi po shkëlqen te Barcelona këtë sezon, nën drejtimin e trajnerit Çavit, pasi erdhi në verë nga Milani.
Megjithatë, duke pasur parasysh shqetësimet financiare të Barçës, lojtari nga Bregu i Fildishtë është një kandidat kryesor për të arkëtuar para nga shitja e tij në mënyrë që të lehtësojë presionin e “Fair Play Financiar”. Mesfushori energjik ka përfunduar në radarin e klubeve të mëdha angleze nga Premier Liga.
Sipas gazetës “Mundo Deportivo”, janë skuadrat angleze të Totenhamit, Çellsit dhe Man. Junajtedit që janë të interesuar për mesfushorin. Të tre gjigantët do të kërkonin të blinin plotësisht Kesin, i cili iu bashkua Barcelonës në një transferim të lirë nga Milani.