Dy gra që drejtonin portalin online tut.by, i cili kritikonte autoritetet bjelloruse, u dënuan me 12 vjet burg secila, njoftoi prokuroria.

Marina Zolotova, kryeredaktore e portalit tut.by dhe Lyudmila Chekina, drejtore e përgjithshme, u arrestuan në maj 2021 bashkë me disa punonjës të tjerë, shumica e të cilëve u liruan më vonë, raportoi Reuters.

Ato u akuzuan fillimisht për evazion fiskal, dhe më vonë për nxitje të urrejtjes dhe thirrje për sanksione kundër Bjellorusisë.

Agjencia shtetërore e lajmeve publikoi një video të tyre të ulur në një sallë gjyqi me pranga në një gjyq të mbyllur.

Tut.by ndoqi në mënyrë aktive protestat masive kundër presidentit bjellorus Lukashenko në vitin 2020 dhe u ndalua nga autoritetet si një organizatë ekstremiste.

Sipas vlerësimeve të aktivistëve të të drejtave të njeriut, Bjellorusia tani ka rreth 1,500 të burgosur politikë, të arrestuar për kritikimin e qeverisë ose pjesëmarrjen në protestat në vitin 2020 kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale që opozita ka thënë se ishin të manipuluara.