Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ka nisur takimet individuale me kryesuesit e palëve të dialogut Kosovë-Serbi. Pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Kovaçevski ka takuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se i uroi Vuçiqit bisedime të suksesshme.
“Mirëpritje e ngrohtë në Ohër për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në takimin dypalësh që patëm sot në mëngjes, mbi të gjitha i urova atij bisedime të suksesshme, të rëndësishme për stabilitetin rajonal, ruajtjen e paqes dhe rrugën që të çon drejt një të ardhmeje të begatë, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për të gjithë rajonin. Mes trazirave gjeopolitike në kontinentin evropian, sigurimi i një të ardhmeje të qëndrueshme dhe anëtarësimi në BE është përgjegjësia dhe përfitimi ynë për shtetet dhe qytetarët”, ka deklaruar ai.