Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi mbrëmë nga tubimi qendror i Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair u shpreh se simpatizantët besnik të BDI-së, të rinjë e të vjetër janë reshtuar gjithmonë krah vendimeve të Ali Ahmetit, sepse vizioni i tij gjithmonë është fitues.

“Kjo mëhallë, ky çuni bashkë me të gjitha çupat e çunat këtu, të ri e të vjetër, mu në këtë sallë, para dy vjete, bashkë edhe me ca shokë të tjerë, bënin fushatë dhe thirrje ta votojmë kandidatin tonë të cilin e kishte përcaktuar Kryetari Ahmeti. Ne besuam, pa marrë parasysh a ishim të kënaqur a jo, a pajtoheshim a jo, ne e respektuam vendimin e liderit sepse e kemi ndarë mendjen dhe jemi të përbetuar të jemi të rreshtuar si fishek në karrikator pas Ali Ahmetit dhe fituam. Sot, këtu, në vendin e njejtë, s’jemi si para dy viteve. Sot kemi nevojë për bashkim, pajtim, unifikim, e jo për përçarje dhe ndarje”, u shpreh Grubi.

Ndër të tjera Grubi shtoi se nuk ka vend për hasmëri e hatërmbetje, por për bashkim me qëllim që të trasohet rruga e jetëgjatësisë së BDI-së.

“Dora ime mbetet e shtruar sepse unë dhe të gjithë ne s’kemi hasmëri e hatërmbetje, ne kemi për detyrë të zbatojmë misionin e Ali Ahmetit. Ne kemi nevojë që të pajtohemi edhe kur diçka nuk na pëlqen por dëshmohet që është e mira e përgjithshme në kohën e duhur. Ne kemi nevojë t’i besojmë dhe t’i respektojmë vendimet e kryetarit Ahmeti për gjithësecilin prej nesh. Ne, të gjithë bashkë po e trasojmë rrugën e jetëgjatësisë se BDI-së në bazë të interesave të përgjithshëm e jo të interesave individuale, në bazë të ambicieve të kombit, e jo të personit, një BDI e të gjithëve, e jo një BDI e të paktëve”, tha Grubi.