A do të largojë apo ndezë mllefin e “Grupit të zjarrit” uragani i besnikëve rreth Ahmetit? Për përplasjen në BDI, për skandalin me mbikqyrjen e Korridoreve 8 dhe 10 D, për futbollin mbi golat e vegjël dhe dyshimet e mëdha për korrupsion, sonte në Top Tema flet zëvendës kryeministri i parë Artan Grubi.

“Reagimet i kam parë nga qarqe të caktuara mediatike, sidomos nga ato maqedonase, jo nga ato shqiptare. Ndoshta për faktin se në të njëjtën ditë ne miratuam protokollin e mbikëqyrjes për korridoret 8 dhe 10-D. Ishte ideja e Naser Nuredinit, i cili dha dorëheqjen dhe ne nuk ishim parë prej kohësh dhe bëmë foto dhe në fund, ngaqë mendonim se ishin interesante për publikun, i publikuam. “- tha Zëvendëskryeministri i Parë Artan Grubi në Top Tema sonte në Telma, pas reagimeve në publik për lojën e futbollit në zyrën e tij.

“Goli është dhuratë nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, po ashtu edhe topi, basketbolli është donacion nga Pero Antiq, presidenti i Federatës së Basketbollit. Hendbolli është nga Naumçe Mojsovski, drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport. Pra këto janë të gjitha donacione nga institucionet shtetërore, sepse propozimi për riorganizimin e organeve të administratës shtetërore i propozuar nga Ministria e Shoqërisë Informative parashikon që Agjencia për Rininë dhe Sportet të jetë pjesë e Ministrisë së Sistemit Politik, e cila do të shndërrohet në ministria që do të përfaqësojë interesat e të gjitha grupeve etnike, rinisë, sportit, OJQ-ve etj. Dhe kështu nisi historia me rregullimin e kabinetit”, sqaron zëvendëskryeministri i parë Grubi.