Të paktën pesë persona u vranë nga një sulm rus në rajonin lindor të Donjeckut, njoftoi shërbimi i urgjencës së Ukrainës. Raketa e lëshuar nga një sistem kundërajror S-300 goditi një qendër humanitare strehimi. Kjo qendër ishte ngritur për të ofruar një vend me shërbime bazë, si energji elektrike, ujë dhe ngrohje për të zhvendosurit nga luftimet në rajon. Përgjatë natës, Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë në qytetin Krivi Rih, teksa alarmet për sulme ajrore u lëshuan përgjatë gjithë vendit. Në të njëjtën kohë, luftime të ashpra mes forcave ruse dhe ukrainase u zhvilluan përreth qytetit lindor të Bahmutit. Presidenti ukrainas Volodimyr Zelenski u kërkoi liderëve evropianë që të përshpejtojnë dhe rrisin furnizimin me armë. Sipas tij vonesat në dorëzimin e raketave me rreze të gjatë dhe avionëve luftarakë mund të zgjasin luftën.

“Sa më shpejt të veprojmë së bashku, aq më shumë jetë shpëtojmë. Çdo orë në fushën e betejës është e rëndësishme. Zvarritja e furnizimit të Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi është e dëmshme, pasi mungesa e armëve nuk na lejon të zmbrapsim terroristët rusë nga qytetet tona, të cilat granatohen vazhdimisht nga raketat ruse me rreze të gjatë. Nuk duhet të ketë zvarritje në furnizimin me armë të ushtarëve tanë të cilët po mbrojnë ukrainasit nga terrori i vazhdueshëm rus”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës. /Alsat.mk