Bajern Munihu do të drejtohet nga Tomas Tushel në vazhdim. Drejtuesit e klubit gjerman shkarkuan Julian Nagelsmann dhe kanë zgjedhur ta zëvendësojnë me ish-trajnerin e Çellsit. Shtypi gjerman raporton se sot do të vijë zyrtarizimi i Tushellit në stolin bavarez. 49-vjeçari do të firmosë një kontratë deri në vitin 2025 me rekordmenët e futbollit gjerman.

Tushel do të debutojë në stolin e Bajernit përballë Borusia Dortmund, ish-skuadrës së tij. “Der Klassiker”, sfida në mes Bajernit dhe Borusia Dortmundit, do të zhvillohet më 1 prill në “Allianz Arena”.

“Verdhezinjtë” kryesojnë Bundesligën me një pikë më shumë se rivalët e Bajernit. Ndërkohë, debutimi europian për Tushellin do të ndodhë më 11 prill. Bavarezët sfidojnë Mançester Sitit për një biletë në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Trajneri gjerman ka drejtuar më parë skuadra si Çellsi, PSZH, Borusia Dortmund dhe Mainci.