Papa Françesku kaloi natën e parë në spital, nën vëzhgimin e mjekëve. Ati i shenjtë, 86-vjeçar, vuan nga një infeksion i rëndë në rrugët e frymëmarrjes. Edhe pse Vatikani tha se ishte një kontroll rutinë, më vonë shtoi se Papa u dërgua në Poliklinikën “Gemelli” me një ambulancë.

“Në ditët e shkuara, Papa Françesku ka shfaqur disa vështirësi në frymëmarrje dhe të mërkurën paradite u shtrua në poliklinikën Gemelli, për disa kontrolle mjekësore”, komunikoi në mbrëmje drejtori i zyrës së shtypit në Vatikan, Matteo Bruni.

“Analizat treguan se ai vuan nga një infeksion në rrugët e frymëmarrjes” tha Bruni, duke përjashtuar infektimin nga Covid-19. Por për shkak të infeksionit të rëndë, Ati i Shenjtë do të duhet të qëndrojë për disa ditë në terapi e vëzhgim të vazhdueshëm mjekësor, në spital.

Papa Francesku u pa shumë i qetë të mërkurën, në audiencën e mëngjesit dhe e vetmja vështirësi për të cilën u fol, ishte ajo e një dhimbjeje në gju, teksa bënte xhiron e zakonshme me makinën e tij.