Parlamenti i Turqisë pritet të votojë lidhur me kërkesën e Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO, raporton VOA. Finlanda dhe Suedia paraqitën kërkesën për anëtarësim në aleancën ushtarake pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës vitin e kaluar.
Që kur kërkesat e tyre për anëtarësim u ratifikuan në një takim të nivelit të lartë të NATO-s në korrik, vendet anëtare të NATO-s kanë filluar procesin për të dhënë miratimin përfundimtar për Finlandën dhe Suedinë, pasi anëtarësimi kërkon konfirmimin nga të gjitha vendet që bëjnë pjesë në aleancë.
Hungaria dha miratimin për anëtarësimin e Finlandës të hënën dhe Turqia mbetet vendi i fundit që duhet të miratojë hyrjen e saj në aleancë.
Procesi për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë u ngadalësua pasi Turqia shprehu shqetësimin se këto vende nuk kishin marrë masa ndaj grupeve që Turqia i konsideron si organizata terroriste. Përfaqësuesit e tre vendeve u takuan në fillim të muajit për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por Turqia ende nuk ka sinjalizuar mbështetje për kërkesën e Suedisë.
Suedia dhe udhëheqësit e NATO-s kanë thënë se Suedia ka kryer një sërë reformash për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Turqisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë vazhdimisht se ai pret që Finlanda dhe Suedia të bëhen anëtarë të NATO-s.