Shefi i Twitter, Elon Musk tani ka llogarinë me më shumë ndjekës në platformën e njohur të rrjeteve sociale, duke rrëzuar nga froni ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama.
Llogaria e biznesmenit miliarder aktualisht ndiqet nga 133.08 milionë përdorues të Twitter, krahasuar me 133.04 milionë për ish-presidentin e Shtëpisë së Bardhë.
Brenda disa muajsh nga shprehja e interesit për blerjen e Twitter, Elon Musk fitoi më shumë se 50 milionë ndjekës të rinj.
Në shkurt, faqja e internetit Platformer raportoi se Musk u kishte bërë presion zhvilluesve të Twitter për të promovuar përhapjen e mesazheve të tij në platformë. Natyrisht, dëshira e tij u realizua, pasi falë korrigjimeve të filtrit, postimet e Elon Musk u bënë virale, tha botimi.
Elon Musk dhe Barack Obama ndiqen nga pas nga këngëtari Justin Bieber (113 milionë ndjekës), Katy Perry dhe Rihanna me rreth 108 milionë ndjekës secila, sipas të dhënave nga uebsajti i specializuar Social Blade.
Twitter ka njoftuar se certifikimi blu do të hiqet më 1 prill nga përdoruesit që nuk janë regjistruar për shërbimin e ri të abonimit Twitter Blue. Në një memo të brendshme për punonjësit e platformës, Elon Musk tha javën e kaluar se vlera e vlerësuar e Twitter është 20 miliardë dollarë, gati gjysma e asaj që pagoi në tetor (44 milionë dollarë). /abcnews.al