Agjencia e lartë e sigurisë e Ukrainës e njoftoi një prift të lartë ortodoks të shtunën se ai dyshohet se ka justifikuar agresionin rus, duke kërkuar kështu arrest shtëpiak për të në një periudhe plot tensione mes qeverisë ukrainase dhe Kishës ukrainase Ortodokse.
Mitropoliti Pavel, igumeni i manastirit Kyiv-Pechersk Lavra – vendi më i shenjtë ortodoks i Ukrainës – e ka kundërshtuar urdhrin e autoriteteve ukrainase për lirim të pronës. Më herët gjatë javës, ai e mallkoi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke e kërcënuar me dënim me ferr.
Gjatë një seance gjyqësore në kryeqytetin ukrainas, mitropoliti hodhi poshtë pretendimin e Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës (SBU) se ai e justifikonte dhe e falte pushtimin rus të Ukrainës. Pavel i cilësoi akuzat kundër tij si të nxitura politikisht.
Agjentët e SBU-së bastisën rezidencën e tij dhe më pas prokurorët i kërkuan gjykatës të japë urdhër për arrest shtëpiak përderisa zhvillohen hetimet.
Murgjit në manastir i përkasin Kishës ukrainase Ortodokse (KUO), e cila është akuzuar se ka lidhje me Rusinë. Mosmarrëveshja rreth pronës, të njohur edhe si Manastiri i Shpellës së Shenjtë, është pjesë e një konflikti më të gjerë fetar që është zhvilluar paralelisht me luftën.