Sot në pikën pagesore Tetovë-Gostivar, do të shkruhet historia.

Në ora 12:00, siç ka paralajmëruar Qeveria do të nisë ndërtimi i Korridorit 8-të, që lidh Maqedoninë me Shqipërinë.

Ky projekt cilësohet si projekt historik për shqiptarët e Maqedonisë dhe vendin, sepse do të shkurtojë diferencën kohore për dy orë.

Përveç shkurtimit të diferencës kohore dhe bashkimit të shqiptarëve, ky projekt cilësohet historik edhe nga afaristët dhe biznesmenët, të cilët thonë se ky projekt do të ndihmojë në mënyrë direkte kompanitë vendore.

Sipas tyre, ky projekt do të lehtësojë transportin dhe importin e mallrave dhe do të shkurtojë edhe harxhimet e kompanive.

Ata thonë se kompanitë vendore do të përfitojnë edhe nga vetë ndërtimi i Korridorit sepse, në marrëveshje parashihet që në ndërtimin e këtij projekti të kyçen shumë kompani vendore.

Është historik sepse është investimi më i madh në Republikën e Maqedonisë që nga pavarësimi i vendit dhe sipas paralajmërimeve, pritet të kushtojë deri në 1.3 miliard euro.