
Autoritetet ruse kanë zyrtarizuar akuzën për spiunazh ndaj gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich.
Lajmi u publikua këtë të premte nga media shtetërore ruse, TASS. E njëjtë agjenci mediatike bëri me dije se gazetari amerikan ka mohuar akuzat që rëndojnë mbi të.
“Hetimi i FSB-së e akuzoi Gershkoviçin për spiunazh në interes të vendit të tij. Ai mohoi kategorikisht të gjitha akuzat dhe deklaroi se ishte i angazhuar në aktivitete gazetareske në Rusi,” tha një përfaqësues i agjencisë, sipas TASS.
Përfaqësuesi nuk pranoi të komentonte më tej, pasi rasti i gazetarit u kategorizua si “tepër sekret” nga autoritetet.