Atletja Luiza Gega, peshëngritësit Briken Calja e Erkand Qerimaj, boksieri Alban Beqiri dhe xhudistet kosovare Nora Gjakova, Majlinda Kelmendi e Distria Krasniqi përmes një ceremonie të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes, 7 sportistë elitarë kanë marrë gradën e nderit të kolonelit. Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri i i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e arsimit Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, deputetë dhe anëtarë të komisionit të sigurisë, ambasadorë dhe anëtar të forcave të armatosura.

 

“Realisht është një ditë historike e sportit shqiptarë dhe për forcat e armatosura të Shqipërisë, njëkohësisht. Sepse sot pjesë e forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë, bëhen një grup sportistëve dhe sportisteve që flamurin kombëtar e kanë ngritur në majën më të lartë në skenën e sportit botëror apo evropian. Është poashtu një ditë krejt e veçantë sepse në këtë grup bëjnë pjesë edhe tre kampione shqiptare nga Kosova, të cilat nga sot e tutje do të jenë bashk me kampionët dhe kampionet nga Shqipëria, nën të njëjtin flamur, për të njëjtin mission , me të njëjtat ambicje dhe vullnete të bashkuara në funksion jo më vetëm të sportit të forcave të armatosura,” tha mes tjerash Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

Shtatë sportistët shqiptarë u paraqitën të veshur me uniformat ushtarake të forcave të armatosura, ku vendosën gradat e kolonelit. Tashmë këta sportistë jo vetëm që janë zyrtarisht pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, por edhe paguhen si të tillë, me gradën e kolonelit.