
Babai dhe agjenti i Lionel Mesit, Horhe u takua me presidentin e Barcelonës, Zhoan Laporta muajin e kaluar, mes spekulimeve të vazhdueshme për të ardhmen e 35-vjeçarit në Paris.
Argjentinasi thuhet se është në mëdyshje për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re me Paris Sen Zhermenin dhe është lidhur me një rikthim të bujshëm në skuadrën katalanase këtë verë. Barcelona e ka pranuar publikisht dëshirën e saj për ta rikthyer Mesin në “Camp Nou”, me nënpresidentin Rafael Yuste duke thënë se klubi është i etur që ai të kthehet. Takimi i Horhe me Laportan i ka shtuar më shumë thashethemet, por sipas “The Mirror”, diskutimi i tyre nuk kishte të bunet me të ardhmen e shtatë herë fituesit të “Topit të Artë”.
“Mirror” ka deklaruar se takimi i Horhe me Laportan kishte të bënte me një ndeshje speciale që do të luhej në “Kamp Nou” për të nderuar Mesin sapo të largohej nga futbolli evropian. Megjithatë, duket se nuk ka gjasa që ata të kishin injoruar temën e së ardhmes së Messit, duke qenë se kampi i tij ka marrë konfirmimin e interesimit të Barcelonës përmes një pale të tretë, sipas “Mirror”.
Kontrata aktuale e Mesit me PSZH-në është caktuar të skadojë në fund të qershorit dhe mbetet shumë pasiguri se ku do të luajë ai sezonin e ardhshëm. Një rikthim në Barcelonë, ku ai kaloi pjesën dërrmuese të karrierës së tij të shkëlqyer si lojtar, është një mundësi pavarësisht marrëdhënieve të ftohta të fituesit të Kupës së Botës me Laportan.