Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se të jesh një “aleat” i SHBA-së nuk do të thotë të jesh një “vasal”, duke mbështetur komentet e tij të diskutueshme për Tajvanin.

“Të jesh aleat nuk do të thotë se je i nënshtruar, nuk do të thotë se nuk ke të drejtë të mendosh për veten”, tha ai gjatë një konference për shtyp në Amsterdam. “Franca është në favor të status quo-së në Tajvan. Vendi ynë mbështet politikën e vetme të Kinës dhe kërkimin për një zgjidhje paqësore të situatës”, shtoi ai.

Në një intervistë me gazetën “Politico” dhe gazetën “Les Echos”, Macron kishte paralajmëruar rrezikun e përfshirjes në një krizë mbi Tajvanin.

“Në rast të një konflikti për Tajvanin, gjëja më e keqe do të ishte që ne, evropianët, të ktheheshim në ndjekës dhe të përshtateshim me ritmet amerikane dhe reagimin e tepruar kinez”, tha Macron, duke mbrojtur një “autonomi strategjike” për BE-në. /REL