Sulmi i Sadio Mané ndaj Leroj Sané (goditja me grushte) pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Man. Sitit mund të ketë pasoja të rënda për ndërkombëtarin senegalez. Sulmuesi ishte shumë i zemëruar sesi gjermani iu drejtua pas humbjes 3-0 në “Etihad”, në çerekfinalen e parë të Ligës së Kazmpionëve.

Ky reagim i dhunshëm nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Oliver Kahn, CEO i skuadrës bavareze dhe Hasan Salihamixhiç, drejtor sportiv, kanë folur tashmë për sanksionin e mundshëm që duhet të vendosin ndaj Sadio Mané. Lojtari nga ana e tij ka kërkuar falje për atë që ka ndodhur.

Natyrisht, Mané do të penalizohet financiarisht për sulmin e tij ndaj Sané, por sipas “Sky” nuk do të mbetet vetëm me këtë masë ndëshkuese. Klubi mund ta pezullojë për disa kohë. Përveç kësaj, kanali televiziv supozon gjithashtu se ish-lojtari i Liverpull-it, edhe pse ka kontratë deri në vitin 2025, nuk ka të ardhme në Munih përtej verës. Sjellja e tij, sipas këtyre informacioneve, nuk është pëlqyer nga shumë lojtarë.

Një tjetër zgjidhje shumë më drastike dhe që e ka hedhur në tavolinë edhe televizioni ‘Sky’, që nuk e përjashton klubi bavarez, është që sulmuesi senegalez të ndërpresë kontratën në mënyrë të njëanshme.