Sot do të luhen ndeshjet e para të çerekfinaleve në Liga Europa dhe Ligën e Konferencës.
Në Liga Europa, të parët që futen në fushë do të jenë holandezët e Fejnordit kundër “gladiatorëve” të Romës. Fejnordi ndodhet në një formë të jashtëzakonshme në Holandë, ndërsa AS Roma nga ana tjetër, ka përparuar mirë në Serie A, duke u renditur në vendin e tretë në Serie A.
Ndeshje tjetër e bukur do të jetë ajo mes Juventusit dhe Sportingut të Lisbonës në Torino. Edhe pse të penalizuar me 15 pikë, “Zonja e Vjetër” është duke bërë maksimumin për t’u ngjitur sa më lartë në tabelë. Sporting ndodhet në vendit e katërt të ligës portugeze dhe rezultatet janë mjaft të mirë në pesë sfidat e fundit në ligë.
Mançester Junajtedi do të presë në shtëpi ekipi spanjoll të Seviljas. Anglezët do të bëjnë sot pa disa lojtarë kryesorë, përfshi edhe Rashford. Nga ana tjetër, Sevilja njihet si ekipi i finaleve të këtij kompeticoni, por në këtë sezon nuk ka pasur rezultate pozitive.
Edhe Liga e Konferencës do të zhvillojë ditën e sotme disa ndeshje interesante. Skuadra e Gentit do të presë sot në shtëpi anglezët e Uest Hemit. Ndeshje tjetër e bukur është edhe ajo mes belgëve të Anderlehtit, të cilët do të sfidojnë holandezët e AZ Alkmaar.
Bazelli do të presë francezët e Nicës në Zvicër, ndërsa Leh Poznan do të përballet me Fiorentinën, me italianët të cilët janë në një formë të jashtëzakonshme.