Rafinja ka fituar rolin e titullarit te Barcelona pas dëmtimit të francezit Dembélé. Edhe pse për momentin nuk po kalon formë të mirë, në segmente të caktuara të sezonit ka shfaqur futboll tepër cilësor.
Ideja e futbollistit, i cili është shumë i lumtur te Barcelona, është të vazhdojë nën urdhrat e Çavit, pasi sheh hapësirë për përmirësim. Mirëpo Barça do të jetë e detyruar të shesë lojtarë për të siguruar ato miliona që duhen për të balancuar nivelin e pagave dhe është e qartë se shitja e Rafinjas mund të jetë një zgjidhje emergjente nëse futbollistët e tjerë nuk duan ose nuk mund të largohen.
Çelsi rivalizoi me Barçën gjatë merkatos së verës për nënshkrimin e Rafinjas. Oferta që blutë i bënë Lidsit për kartonin e brazilianit ishte më e lartë se ajo e “blaugranave”, por futbollisti vendosi të transferohej në “Camp Nou”.
Operacioni u mbyll përfundimisht për 58 milionë euro, plus shtatë në variabla. Ishte nënshkrimi më i shtrenjtë i këtij sezoni, ndaj shitja, nëse do të realizohej, do të duhej të ishte për një shumë më të madhe. Menaxheri i Rafinjas, ish-lojtari i Barcelonës, Deko, ndodhet në Brazil prej javësh dhe planifikon të kthehet në Evropë në mes të prillit.