Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese duhet të fillojë së shpejti punën por pa opozitën. Profesori dhe anëtari i këtij grupi, Nano Ruzhin, vlerëson se BE-ja e konsideron këtë si çështje teknike dhe më tej do ta pengojë Bullgarinë të vendosë kushte të tjera, shkruan Indeks.mk

Në anën tjetër, për presidentin Stevo Pendrovski është e pranueshme që të hiqet definicioni 20% për gjuhën shqipe nga Kushtetuta. Gjatë një ligjërate me studentët e UEJL-së ai tha do të ishte i pari që do e përkrahte një gjë të tillë, duke shtruar madje edhe pyetjen se pse duhet që identiteti i një etnie të fshihet pas numrave?!

“E kam thënë shumë herë. Mendoj se e kam thënë këtë dy ose tre vjet më parë. Nuk më shqetëson fare, do të isha i pari që do ta mbështesja sepse mendoj se është një gjë normale e natyrshme. Pse identitetin e pacenueshëm dhe të qartë për të gjithë, të një etnie, duhet ta fshehim pas numrave?”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së – Arbër Ademi në Klan Debat është shprehur se heqja e 20 përqindëshit për gjuhën shqipe dhe popullin shqiptar duhet të bëhet në çdo moment, por pa e precizuar nëse është tani ai moment, bashke me futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

“Gjithmonë është momenti që një gjë e tillë të korrigjohet madje është dashur edhe më herët të bëhet, por i dimë sfidat nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë dhe vlerësojmë se në çdo kohë, në çdo moment duhet të bëjmë një korrigjim të kësaj formule matematikore me një formulim dinjitoz, i cili e përshkruan realitetin ashtu siç është sepse pas atij 20 përqindëshi kemi gjuhën shqipe, popullin, kombin shqiptar”, tha mes tjerash Ademi.(Indeks.mk)