
Tri skuadra të Premier Liga janë vënë në gjurmët e kampionit të botës Aleksis MekAlister, lajm që konfirmohet nga e përditshmja britanike “The Guardian”. Kjo e fundit sqaron se Liverpulli, Çellsi dhe Man. Junajted synojnë të marrin mesfushorin 24-vjeçar argjentinas, që ka një kontratë me Brajtonin deri në vitin 2025.
Skuadra e Brajtonit ende nuk ka vendosur një çmim për MekAllisterin, por pritet që ajo të jetë rreth 45 milionë euro. Mesfushori ishte një nga lojtarët kyç të Argjentinës në Botërorin e fundit në Katar, ndërkohë që edhe në Premier Ligë ka realizuar 8 gola këtë sezon në 25 ndeshje.
Të trija skuadrat e interesuara për argjentinasin kanë nevojë për mesfushorë të kompletuar dhe me përvojë, ndaj kampioni i botës shihet si një përforcim i rëndësishëm. Duket se për MekAllister do të nisë një ankand, ku do të vendosë oferta më e mirë edhe pse do të jetë lojtari ai që do të thotë fjalën e fundit.