Belind Këlliçi është kandidati i fundit për kryetar bashkie nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’, që është ngjitur në podiumin e stadiumit Air Albania, ku i është rezervuar edhe pritja më entuziaste nga të pranishmit.

Tirana është edhe bashkia më e rëndësishme për zgjedhjet e 14 Majit, e në rast fitoreje nga ana e opozitës, do të ishte një pikë kthese në gjithë momentin politik të vendit.

Këlliçi mbërriti në stadium me një autobus, duke simbolizuar një nga premtimet e tij për transport falas nëse fiton mandatin e kryebashkiakut në kryeqytet.

Koalicioni Bashkë Fitojmë çel sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 14 Majit, ku do të zgjidhen drejtuesit e 61 Bashkive. Të pranishëm në Mitingun e sotëm janë të gjithë kandidatët në rang vendi, ndërsa fjala kryesore mbahet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta që janë edhe bashkëdrejtuesit e koalicionit.

Gara më e ethshme pritet të jetë në disa prej bashkive kryesore të vendit, si Tirana, Elbasani, Durrësi e Shkodra, ndërsa zgjedhjet pritet të shënjojnë edhe zhvillimet e mëtejshme politike në vend, nëse Edi Rama dhe socialistët do të lëkunden nga pozitat e tyre, apo do të çojnë të qetë deri në fund mandatin e tyre qeverisës.