Anëtari i Gardës Kombëtare të Forcave Ajrore të SHBA-së i dyshuar për rrjedhje të të dhënave sekrete të zbulimit ushtarak u paraqit para një gjykatësi federal në Boston për t’u përballur me akuzat se ka marrë, mbajtur dhe publikuar në mënyrë të paligjshme materiale të klasifikuara. Në seancë, prokurorja e lartë federale, Nadine Pellegrini, kërkoi që 21 vjeçari Jack Teixeira të mbahej i ndaluar në pritje të gjyqit. Një seancë mbi masën e paraburgimit u caktua për të mërkurën e ardhshme. Autoritetet amerikane arrestuan 21-vjeçarin Jack Teixeira në një shtëpi në Dighton të Masaçusetsit, nën dyshimet si autori i rrjedhjes së dokumenteve sekrete të zbulimit dhe ushtrisë. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland foli pas arrestimit të të dyshuarit nga agjentët e FBI-së. Por ai nuk dha ndonjë motiv të mundshëm për nxjerrjen e informacioneve.

“Departamenti i Drejtësisë arrestoi Jack Douglas Teixeira-n në kuadër të një hetimi nën dyshimet për marrjen, mbajtjen dhe publikimin e paautorizuar të informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare. Teixeira është një punonjës i Gardës Kombëtare të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara”, tha Merrik Garland, Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët e Pentagonit folën për masat e tyre të sigurisë.

“Gjithsesi është e rëndësishme të kuptojmë se ne kemi rregulla të rrepta për ruajtjen e informacionit të klasifikuar dhe të ndjeshëm. Ky ishte një akt kriminal i qëllimshëm, një shkelje e atyre rregullave”, shtoi Pat Ryder, Zëdhënës i Pentagonit.

Lajmi për rrjedhjen e dokumenteve u bë i njohur javën e kaluar. Mes tyre janë harta të pozicioneve ushtarake ukrainase dhe vlerësime të hollësishme nga Uashingtoni mbi Ukrainën dhe mbështetjen e aleatëve të SHBA-së për Ukrainën. Teixeira ishte specialist i sistemeve të transportit kibernetik, që do të thotë një specialist i teknologjisë, përgjegjës për rrjetet e komunikimeve ushtarake./Alsat.mk